Ardhja e Lewandowski dhe Rafinha, e ardhmja e Dembele..; Laporta rrëfen merkaton e Barcelonës

Barcelona ndihet e “lajkatuar” që Robert Lewandowski është kaq i etur për t’u transferuar në “Camp Nou”. Këtë e thotë presidenti i klubit Joan Laporta, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje. Gjigantët e La Liga-s hezitojnë të përfshihen publikisht në këtë debat transferimi.

Blaugranët nuk e kanë fshehur interesimin e tyre për sulmuesin “pjellor” polak, që po kërkon largimin nga Bayern Munich. 33-vjeçari e ka bërë të qartë se preferenca e tij do të ishte kalimi në Katalonjë këtë verë.

Megjithatë, kampionët e Bundesligës janë ngurrues për t’u ndarë me një golashënues legjendar, veçanërisht pasi ai ka kontratë me ta edhe për 12 muaj të tjerë. Negociatat për një kalim diku tjetër po rezultojnë të vështira.

Barça nuk do të heqë dorë nga përpjekjet e saj për të nënshkruar me një kampion të madh, me lojtarin polak të etur për t’u bashkuar me katalanasit, por Laporta thotë pak gjëra kur bëhet fjalë për afatet e mundshme të një marrëveshjeje.

Ai iu tha gazetarëve kur u pyet për një përditësim mbi një sagë të tillë të gjatë: “Lewandowski është lojtar i Bayernit dhe unë preferoj të qëndroj i rezervuar për këtë. Ne e falënderojmë atë që dëshiron të vijë te Barcelona, jemi shumë të kënaqur”.

Ndërsa pret përgjigjet në ndjekjen e Lewandowskit, Barça shpreson gjithashtu se ndjekja e gjatë e anësorit të Leeds, Raphinha, do të arrijë në përfundim pozitiv. Braziliani ka qenë gjithashtu i lidhur me Arsenalin dhe Chelsea, por ai dëshiron të kalojë në Spanjë.

Laporta shtoi për këtë pistë: “Ne kemi folur me Leeds dhe nuk mendoj se ata do të mërziten. Kemi komunikim të rregullt. Ajo që po ndodh është se ka klube të tjera, që e duan Raphinha. Edhe ato po bëjnë propozimet e tyre”.

Barça është në treg për përforcimin e sulmit, pasi Ousmane Dembele tani ka arritur në fund të kontratës së tij. Francezi, fitues i Kupës së Botës 2018 është teknikisht një lojtar i lirë, por Laporta ende nuk e përjashton mundësinë e rinovimit me 25-vjeçarin: “Nëse ai pranon ofertën tonë financiare, do të qëndrojë. Ne nuk kemi vendosur kufij kohorë për asgjë”.