Bonuset dhe klauzola; “nyjet” e negociatave mes Interit dhe Dybala

E ardhmja e Paulo Dybala mbetet ende për t’u përcaktuar. Në më pak se një javë i skadon zyrtarisht kontrata me Juventusin, klubi me të cilin ka qenë i lidhur shtatë vitet e fundit. Fati, megjithatë, çoi në ndarje dhe tani “Joya” është thirrur për të formuar kapitullin e ardhshëm të karrierës së vet.

Fakti që Interi ka disa kohë në gjurmët e ish-numrit 10 të Juventusit sigurisht që nuk është diçka e re, por aludimet për një negociatë që mund të kryhej në një kohë shumë të shkurtër kishin të bënin me një realitet krejtësisht të ndryshëm.

Skenari ndryshoi kur klubi milanez përjetoi së pari mundësinë për të rikthyer Romelu Lukakun, vetëm një vit pas lamtumirës së tij me destinacion Chelsea. Për formimin taktik të Simone Inzaghit, sulmuesi belg përfaqësonte menjëherë një prioritet në tregun e transferimeve dhe përpjekjet e klubit u kanalizuan në mënyrë të pashmangshme në atë drejtim.

Morali i histories? Brenda pak ditësh, drejtuesit e lartë zikaltër u morën me gjithçka që duhej bërë, duke drejtuar kthimin e sulmuesit belg, i cili nga viti 2019 deri më 2021 shënoi 64 gola në 95 ndeshje, duke fituar edhe një titull kampion.

Ku hyn Dybala në gjithë këtë histori? Interi, sigurisht nuk e ka lënë mënjanë lojtarin e Albiceleste, por do ta peshojë mirë çdo lloj lëvizjeje. Me ardhjen tashmë të afërt të Lukakut dhe praninë aktuale në sulm të Dzeko, Lautaro Martinez, Sanchez dhe Correa, është e qartë se si ky repart mbipopullohet. Sidomos për sa i përket peshës në faturën e pagave.

Me pak fjalë, duhet të spastrojë diçka përpara se të nisë sprintin përfundimtar që e çon te Dybala. Për këtë të fundit, Marotta në çdo rast ka vënë në pjatë një propozim të ri, i cili sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport” nuk e ngroh veçanërisht përfaqësuesin e lojtarit, Jorge Antun.

Skuadra fituese e Kupës së fundit të Italisë dhe e Superkupës së Italisë dëshiron t’i garantojë argjentinasit një pagë prej 6 milionë euro neto në sezon, nga të cilat 5 përfaqësojnë pjesën fikse, plus një bonus të lidhur me numrin e paraqitjeve zyrtare nga ish-lojtari i Juves. Një lëvizje që mban erë të fortë mbrojtjeje parandaluese, nisur nga seria e dëmtimeve dhe pengesave fizike që e kanë ngadalësuar dy vitet e fundit sulmuesit nga Laguna Larga.

Një milion bonuse, që do të aktivizoheshin automatikisht nëse Dybala do të luante 50% të ndeshjeve zyrtare të Interit për sezonin e ardhshëm. Një lloj oferte që siç u përmend nuk gjeti miratimin e menaxherit të lojtarit.

Megjithatë, dialogu mes palëve është i destinuar të vazhdojë dhe ndër çështjet e trajtuara po zë vend hipoteza e futjes së një klauzole lirimi, që lejon Dybala të lirohet pas sezonit të parë të katër viteve të parashikuara në kontratë. Pra, për ata që besonin të ishte një negociatë e thjeshtë, në fakt ka vend për shumë durim dhe mendim, pavarësisht kënaqësisë reciproke.