Giroud i dhuroi derbin Milan-it, në Londër shpërthejnë polemikat

Vazhdon periudha negative e Romelu Lukaku-t te Chelsea. Situata e belgut në Londër është përkeqësuar pas dy golave të shënuar dje nga Olivier Giroud në derbin kundër Inter-it, i fituar 2-1 nga Milan-i me përmbysje.

Digitalb OTT(IPTV)

Francezi është larguar nga Chelsea për t’u transferuar te kuqezinjtë, ndërsa belgu ka braktisur Inter-in për t’u kthyer në Stamford Bridge. Tani, tifozët e Blues do të ishin të gatshëm ta ndërronin Big Rom me Giroud.

Lukaku, në fakt, ka zhgënjyer në ndeshjen e Kupës së Anglisë kundër Plymouth (e fituar 2-1 në shtesë nga skuadra e Tuchel) dhe tifozët e Chelsea-t kanë shpërthyer në Twitter pas përfundimit të derbit të Milanos.

“Akoma nuk e besoj se kemi shitur Giroud për t’i besuar Lukaku-t, që nuk shënon gola”, ka qenë një nga komentet në rrjetet sociale. “Në tri minuta, Giroud ka shënuar më shumë gola sa ka bërë Lukaku në tri ndeshje”, ka qenë komenti tjetër.

“Lukaku nuk i vlen 97.5 milionë sterlinat e shpenzuara për të dhe e ka treguar këtë gjë edhe këtë herë”, ka qenë kritika tjetër.