Lë heshtjen mbrapa, Peja nis të forcohet për sezonin e ri 2022/23

KB Peja po vazhdon punën në heshtje!

Kampioni aktual i Ligës Unike përveç që kanë zyrtarizuar trajnerin Can Sevim , “verdhezinjët” tashmë kanë bërë edhe goditjen e parë, bëhet fjalë për Arti Hajdarin i cili rikthehet në Pejë pas aventurës 2-vjeçare në Prizren.

TëVë 1 ka kontaktuar zyrtarin e klubit pejan , Arbër Elshanin i cili ka konfirmuar që janë në bisedime të avancuara me qendrën shtatlarte Lis Shoshin.

Elshani poashtu ka bërë të ditur që Arian Çallaku do të mbetet pjesë e Pejës derisa ka shtuar që Daniel Lekndrejaj ka kontratë me ekipin nga Karagaçi deri në janar të vitit 2023.

Me këtë ai ka shuar dëshirat e skuadrave tjera kosovare të cilat kanë shprehur interesim për basketbollistin nga Shkodra.

Sipas Elshanit, ditëve në vijim do të nisin bisedimet për vazhdimin e bashkëpunimit edhe me kapitenin e Përfaqësuesës së Kosovës dhe yllin kryesor të skuadrës, Dardan Berishën.

Pos basketbollistëve me përvojë dhe të dëshmuar , drejtuesit e klubit pejanë nuk kanë lënë anash as talentët e rinjë si Olsi Kurtaj e Dardan Maxharraj të cilët do të jenë pjesë e klubit të dytë më të trofeshëm në Kosovë.

Sa i përket lojtarët e huaj , Elshani ka sqaruar që kjo është 100 % kompetencë e trajnerit Sevim.

Synimet e KB Pejës përveç garave vendore dhe Ligës Unike pritet të jenë dhe në arenen nderkombëtare përkatësisht ne Balkan League. /Tëvë1/