“Milani si familje, unë dhe Ibrahimoviç do të qëndrojmë gjatë”, festoi 300 gola, Zhiru: I shënoj përsëri Interit!

Përpara tij, i vetmi lojtar francez që kishte shënuar të paktën tri herë ndaj Interit ishte Zhan Pier Papen. Histori e fillimit të viteve ’90. Në fillim të atyre 2020, ‘vrasësi’ i zikaltërve është Olivie Zhiru, që për çështje detajesh nuk u transferua pikërisht tek Interi dy vjet më parë. Për interistët është kthyer në mallkim, por për një besimtar si ai Interi përbën detaj. Të shtunën shënoi golin e treqindtë në karrierë dhe së bashku me fitoren e Milanit ishin një rast i mirë për një intervistë për “L’Equipe”.

ZHIRU

Digitalb OTT(IPTV)

Si ishte derbi?
Kur rezultati ishte 3-1 patëm raste për të thelluar shifrat, por më pas shënoi Xheko. Sidoqoftë, luajtëm deri në fund shumë mirë dhe e deshëm fitoren me çdo kusht. U treguam të zotë duke mos i dhënë shumë hapësira.
Keni shënuar 300 herë. Cili ka qenë më i bukuri?

Jam krenar për këtë arritje. Shpresoj të mos ndalem me kaq. Jam i lumtur që të treqindtin e shënova në një ndeshje aq të rëndësishme si derbi e me asist nga Leao. Për mua, më i bukuri ka qenë ai fluturimthi në Francë-Suedi. Të bukur kanë qenë edhe ato në roveshatë ndaj Atletikos vjet dhe ndaj Crvena Zvezdës.

Këto dy të fundit i keni shënuar si lojtar i Çelsit. Si e parashikoni sfidën e Champions-it ndaj tyre?

Uroj që të më mirëpresin në Londër sepse jam larguar me raporte të mira, siç kam bërë me çdo klub ku kam luajtur. Të luaj ndaj Çelsit me fanellën e Milani do të jetë diçka emocionuese.

Si është forma juaj?

Jam i vendosur dhe i motivuar. Mendoj që në moshën time ka shumë rëndësi të ndihesh kështu. Dua të vazhdoj sa më gjatë nëse fiziku do të ma lejojë. Flas shpesh për këtë temë me Ibrën. Edhe ai, si unë, ka ende uri.

“Pioli is on fire” mbetet ende refren feste…

Jemi një grup fantastik dhe donim të festonim të gjithë së bashku. Në ekip ka të rinj dhe ekspertë e për secilin është kënaqësi puna në këto kushte. Ka shumë energji dhe me Piolin ndihemi të sigurt. Ne dhe tifozët e meritonim një gëzim të tillë.

Lidhja juaj shihet edhe te festa kushtuar Florencit.

Është dëmtuar dhe donim t’i shprehnim afërsinë tonë. Është dëmtuar e do të rikthehet pas Botërorit.

Druheni se mos Leao largohet?

Nuk kam qenë kurrë i shqetësuar sepse e dija që do të qëndronte.

Do të jeni në Botëror me Francën?

Nuk e di sepse nuk jam unë trajneri. Në moshën time dhe me historinë që kam në kombëtare mendoj se e meritoj të kem një shans. Është objektiv, por nuk jam i fiksuar pas Botërorit. Objektivi im në përditshmëri është vetëm Milani. Nëse shkoj në Katar dhe shpallemi përsëri kampionë do të heq mjekrën. Kam 8 vite që se kam hequr…

Përgatiti: REINOLD BAKALLI